Ligjore
Politika e privatësisë
Vlen për aplikacionin Portofol në web (app.portofol.app), në Android dhe në iOS, dhe për faqen portofol.app. Në fuqi nga 18 tetor 2026.
1. Kush jemi
Portofol është shërbim për mbajtjen e librave të kompanive në Kosovë, i ofruar nga Dev2Devs, kompani e regjistruar në Republikën e Kosovës, nën markën Portofol. Dev2Devs është kontrolluesi i të dhënave të llogarisë suaj. Për çdo pyetje rreth të dhënave shkruani në info@portofol.app.
2. Çfarë të dhënash ruajmë
Llogaria juaj. Emri, adresa e emailit, fjalëkalimi (i ruajtur vetëm si hash, nuk e lexojmë dot), emri i zyrës, gjuha dhe tema e zgjedhur, data e regjistrimit.
Librat që mbani. Gjithçka që shkruani në aplikacion: kompanitë dhe të dhënat e tyre (NUI, numri fiskal, numri i TVSH-së, adresa, llogaria bankare), blerësit dhe furnitorët, artikujt, faturat, pagesat, ekstraktet bankare që importoni, punëtorët dhe pagat, asetet, ditarin dhe raportet që dalin prej tyre.
Të dhëna teknike. Regjistra të zakonshëm serveri (adresa IP, koha, kërkesa) që mbahen për siguri deri në 30 ditë. Aplikacioni nuk përmban analitikë, reklama, gjurmues apo SDK të palëve të treta për reklama.
Çfarë nuk marrim. Nuk kërkojmë qasje në kontaktet, vendndodhjen, kamerën apo mikrofonin. Skedarët hapen vetëm kur ju zgjidhni një skedar për import (CSV) ose ruani një PDF, përmes dialogut të sistemit.
3. Pse i përdorim
- Për të ofruar shërbimin: të ruajmë librat, t'i llogarisim TVSH-në, pagat dhe raportet, t'ju identifikojmë kur hyni.
- Për t'ju dërguar email që i përkasin llogarisë: kodin e konfirmimit, rivendosjen e fjalëkalimit, mirëseardhjen dhe njoftime për ndryshime të shërbimit. Nuk dërgojmë reklama.
- Për sigurinë e shërbimit dhe për të përmbushur detyrimet ligjore.
Baza ligjore është kontrata me ju (ofrimi i shërbimit), interesi ynë legjitim për sigurinë dhe, kur zbatohet, detyrimi ligjor.
4. Librat e klientëve tuaj
Kur një zyrë kontabiliteti regjistron të dhënat e kompanive të klientëve të saj, të punëtorëve apo të partnerëve të tyre, zyra është kontrolluesi i atyre të dhënave dhe Portofol vepron si përpunues sipas udhëzimeve të saj. Ne i përdorim ato të dhëna vetëm për të ofruar shërbimin dhe nuk i shohim përveç kur ju kërkoni ndihmë.
5. Ku ruhen dhe kush i sheh
Të dhënat ruhen në serverë në Bashkimin Evropian (Supabase, rajoni Irlandë), të enkriptuara në transport dhe në ruajtje, me qasje të kufizuar në nivel rreshti: çdo zyrë sheh vetëm kompanitë e veta. Emailet dërgohen përmes Resend. Faqja dhe aplikacioni web mbahen te Hostinger. Këta ofrues përpunojnë të dhëna vetëm për ne dhe sipas kontratave të përpunimit.
Kur ngarkoni një faturë PDF që formulari të mbushet vetë, dokumenti i dërgohet shërbimit të Anthropic (SHBA) vetëm për t'u lexuar; sipas kushteve të tyre komerciale nuk përdoret për trajnim modelesh dhe nuk mbahet më gjatë se 30 ditë. Vetë PDF-ja nuk ruhet te ne; ruhen vetëm fushat që ju i konfirmoni në formular dhe numri i leximeve për kuotën mujore.
Kur një kompani lëshon kupon fiskal, të dhënat e kuponit (artikujt, shumat, TVSH-ja, numrat identifikues të kompanisë) i dërgohen Administratës Tatimore të Kosovës, siç e kërkon Udhëzimi Administrativ (MF) 01/2026. Nuk i shesim të dhënat, nuk i japim për reklama dhe nuk i ndajmë me askënd tjetër, përveç kur na e kërkon ligji ose një autoritet kompetent.
6. Sa kohë i mbajmë
Sa kohë që llogaria juaj është aktive. Kur e fshini llogarinë, të dhënat fshihen nga sistemet aktive menjëherë dhe nga kopjet rezervë brenda 30 ditësh. Regjistrat teknikë mbahen deri në 30 ditë.
7. Të drejtat tuaja
- Qasje dhe korrigjim: shihni dhe ndryshoni të dhënat në aplikacion.
- Eksport: raportet, librat e TVSH-së dhe faturat dalin si CSV ose PDF në çdo kohë.
- Fshirje: në Cilësimet → Fshij llogarinë, ose me email te info@portofol.app. Fshirja është e menjëhershme dhe e pakthyeshme.
- Ankesë: te Agjencia për Informim dhe Privatësi e Republikës së Kosovës, ose te autoriteti i mbikëqyrjes në vendin tuaj nëse jeni në BE.
Zbatojmë Ligjin nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Kosovës dhe, për përdoruesit në Bashkimin Evropian, GDPR-në.
8. Siguria
Lidhje vetëm me HTTPS, fjalëkalime të hash-uara, konfirmim i adresës me kod, kufizime të qasjes në bazën e të dhënave për çdo zyrë, kopje rezervë ditore. Asnjë sistem nuk është i përsosur; nëse ndodh një incident që prek të dhënat tuaja, ju njoftojmë pa vonesë.
9. Fëmijët
Shërbimi është për biznese dhe nuk u drejtohet personave nën 18 vjeç. Nuk mbledhim me dije të dhëna të fëmijëve.
10. Cookies dhe ruajtja lokale
Aplikacioni ruan në pajisjen tuaj vetëm sesionin e hyrjes dhe preferencat (gjuha, tema, kompania e fundit e hapur). Faqja portofol.app nuk përdor cookies gjurmuese.
11. Ndryshimet
Nëse e ndryshojmë këtë politikë, e publikojmë versionin e ri këtu me datën e re dhe, për ndryshime thelbësore, ju njoftojmë me email.
Versioni anglisht: Privacy policy.